Zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thonë se edhe sa kanë qenë duke qeverisur e kanë kundërshtuar “Mini-Shengenin”, i cili të enjten mori emrin e ri “Open Balkan”.
Deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami, thotë se kanë kundërshtuar fuqishëm unionin doganor, gjatë vitit 2016.
“Në vitin 2016 kur LDK udhëhiqte me Qeverinë, kur është propozuar unioni tregtar, brenda të cilit ka qenë unioni doganor, ne kemi kundërshtuar sa që kemi bindur edhe kryeministrin e Malit të Zi, e që bashkërisht e kemi kundërshtuar këtë. Ajo çfarë ka ndodhur sot dhe çfarë e kemi parë është çështje më e ndërlikuar për të cilën na duhen informacione.
Ne e pamë që Qeveria e Kosovës as nuk ka qenë e ftuar zyrtarisht, andaj nuk është që mund të themi shumë. Për neve pikë nisje është procesi i Berlinit”, theksoi ajo në Debat Plus në RTV Dukagjini.
Ndërkaq, zyrtari i LDK-së, Faton Bislimi, deklaroi se “përderisa Kosova nuk e gjen interesin e vet brenda kësaj iniciative, nuk ka arsye të merr pjesë”, pasi përndryshe sipas tij, do të ishte e dëmshme.
“Nëse ne nuk kemi interes nacional, cila do të ishte arsyeja të jem pjesë e saj. Pjesa më e dëmshme ka qenë unioni doganor”, u shpreh ai.
Ndryshe, të enjten në Shkup u mbajt Forumi Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal në kuadër të nismës së “Minishengenit” dhe liderët e Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut nënshkruan disa marrëveshje e memorandume mirëkuptimi.
Kosova menjëherë reagoi duke thënë se nuk e përkrah një nismë të tillë dhe se ajo “është pa vizion”./Insajderi.com