Raportuesja për Kosovën në Bashkimin Evropian, Viola von Cramon, beson se do të ketë progres në dialog pas zgjedhjeve në Prishtinë e Beograd
Sipas saj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq – do të jenë të kujdesshëm para zgjedhjeve në vendet e tyre për shkak të impaktit që bisedimet mund të kenë në votime.
“Të dy udhëheqësit po takohen. Ne duhet të shohim nëse do të bëjmë përparim, dhe ne në BE do të donim që ajo të ishte më e shpejtë” ka thënë von Cramon, raporton Tanjug, transmeton Shqip.com
Deri më tash, Kurti e Vuçiq janë takuar dy herë në Bruksel nën ndërmjetësimin e Shefit për Siguri dhe Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrel dhe përfaqësusit të BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak.
Nga ato takimi kishte veç një pajtim; të takohen përsëri në Bruksel. Ky është një sinjal i mirë për euro-deputeten, von Cramon për sa i përket progresit në bisedime.
Në Serbi është kritikuar kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti për shkak të qasjes së tij – duke përmendur “tri gjenocide serbe të kryera ndaj shqiptarëve që nga viti 1878”.
Kjo për politikanët në Beograd “është një rikthim mbrapa në të kaluarën”.
Ndërsa, për opozitën në Prishtinë, qasja e Kurtit “është spektakël”, përpara zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.
Pak kohë para takimeve Kurti-Vuçiq, në hapësirën virtuale janë shpërndarë disa “non-paper” që ofronin zgjidhje për çështjen e Kosovës.
Të gjitha janë mohuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila domosdoshmërisht kërkon një marrëveshje.
Për këtë marrëveshje, Albin Kurti thotë se “s’pranon t’i jap diçka Serbisë”, sipas tij “pavarësia e Kosovës ishte kompromis”. /Insajderi.com