Afganët mund të vendosen në ish-kampin gjerman në Prizren dhe atë francez në Vushtrri

Afganët mund të vendosen në ish-kampin gjerman në Prizren dhe atë francez në Vushtrri

Refugjatët afganë që pritet të vijnë për strehim në Kosovë pritet të vendosen edhe tek Parku Inovativ në Prizren dhe tek kampi i KFOR-it francez në Maxhunaj të Vushtrrisë.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se gatishmëria e shtetit të Kosovës për të bashkëpunuar me shtetin amerikan për të strehuar refugjatët afganë është gjest i mirë në aspektin politik.

Por siç shprehet ai, për Kosovën, kjo do të jetë një sfidë e madhe në aspektin e sigurisë dhe ekonomisë.

Sipas tij, shteti kosovar ka kapacitet që të strehojë deri në 10 mijë persona.

“Tash sa është mundësia ka pasur bisedime edhe më herët apo preliminare me lidershipin amerikan dhe besoj që përgatitjet janë bërë të gjithmbarshme edhe pse kjo ka shkuar me një shpejti të paparaparë. Më së shumti 10 mijë mund të strehohen duke pasur parasysh se kjo është vala e parë e refugjatëve se ajo mund të plotësohet qoftë me ardhjen e familjarëve të tyre eventualisht edhe përcaktimin e tyre për një destinacion tjetër”, theksoi ai.

Ibishi shton më tej se institucionet e sigurisë në Kosovës duhet ta ngritin vigjilencën në aspektin e sigurisë dhe verifikimin e secilit prej refugjatëve që do strehohen në Kosovë.

“Në këtë fazë ne e kemi prej SHBA-ve një verifikim të sigurisë, aq sa ka mundur të bëhet, që ata janë pjesë e koalicionit qytetar-afgan, por që normal duke pasur parasysh që talebanët i kanë liruar të gjithë ata militantë të Al-Qaeda, Al-Nusra, mbi 5 mijë domethënë ata lehtë mund të infiltrohen në këtë valë të refugjatëve, për këtë arsye duhet të kemi kujdes nga sektori i sigurisë edhe pse ata janë përgatitur shumë mirë për këtë çështje, duhet të jemi të kujdesshëm që ata të verifikohen gjatë qëndrimit këtu dhe që jenë të mbikëqyrur në aspektin e sigurisë“, tha Ibishi për KosovaPress.

Ndërsa, për Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, vendi nuk ka kapacitet të strehojë numër të madh të refugjatëve dhe se vështirë do jetë të menaxhohet situata me ta.

Drejtori i KMDLNj-së, Behxhet Shala, theksoi se Kosova nuk ka mundësi materiale dhe logjistike për të strehuar shumë refugjatë nga Afganistani.

Ai e sheh problematik edhe aspektin e respektimit të të drejtave të njeriut pasi fillimisht këta refugjatë do jenë të mbyllur dhe kjo sipas tij paraqet shkelje të të drejtave të njeriut. Ndërsa, për Shalën, lënia në liri mund të paraqet rrezik për sigurinë kosovare.

“Nëse në ndërkohë Qeveria e Kosovës lidh partneritet me organizata të mëdha botërore që merren me çështjet e refugjatëve mund të llogarisë që jo shpejt, por në plan më të gjatë, të strehojë numër të caktuar të refugjatëve nga Afganistani. Është normale që ata që janë të rrezikuar në një shtet dhe nëse kërkojnë mbështetje për azil në Kosovë, është procedura e pranimit të tyre, është afati kur u njihet afati i refugjatit apo i azilantit apo i refuzohet”.

“Mendoj se do të jetë problem dhe do të jetë sfidë e madhe për Kosovën për faktin se nëse këta refugjatë i mbajmë mbyllur duket se ata do mbahen në objekte të mbyllura, atëherë menjëherë do akuzohemi si shkelës të të drejtave të njeriut. Nëse në një qasje të pakontrolluar i lironi 3-4 mijë persona atëherë do jetë problem që të menaxhohet situata sepse ne realisht nuk e dimë se a janë të gjithë ata që vijnë vetëm kundërshtarë të talebanëve, apo ndoshta në mesin e tyre ka talebanë të infiltruar dhe të cilët Kosova nuk ka kapacitet t’i mbikëqyr dhe në një plan afatgjatë nëse nuk arrihet një zgjidhje e shpejt do t’i sjellin problem Kosovës sepse nuk e shoh që do të jenë përkohësisht këtu”, theksoi Shala.

Shala thotë se refugjatët afganë që do kërkojnë strehim në shtetin e Kosovës është menduar që të vendosen në ish-kampin e KFOR-it gjerman në Prizren dhe kampin e KFOR-it francez në Maxhunaj të Vushtrrisë.

Të dielën,presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ka dhënë pëlqimin e saj që të strehohen disa refugjatë afganë në Kosovë.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës e ka pranuar që janë në komunikim të vazhdueshëm me SHBA-të për strehimin e përkohshëm të një numri afganësh.

Kjo është mbështetur edhe nga opozita të cilët ishin që SHBA të ketë përgjigje pozitive.

Talebanët kanë shpallur presidentin e tyre, Maulana Abdul Ghan, pasi e pushtuan pallatin presidencial.

Kthimi i talebanëve 20 vjet pas, vjen pasi forcat ushtarake ndërkombëtare përfunduan misionin e tyre në këtë vend./Insajderi.com