Sot përfundon afati për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës

Sot përfundon afati për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës

Sot ( 18 gusht) është afati i fundit për regjistrimin e votuesve jashtë vendit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Kështu ka njoftuar, Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Ai ka treguar se deri më tash janë pranuar rreth 9 mijë e 600 aplikime.

“Pas kësaj date do të kemi një raport të detajuar nga shërbimi votues se sa nga këta aplikues janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe sa jo, pasi nuk kanë plotësuar kriteret ligjore”, theksoi ai për EO.

Elezi deklaroi se votuesit që suksesshëm regjistrohen në lista, mund ta kryejnë këtë proces duke filluar nga 15 shtatori.

“Fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu deri më 15 tetor”.

“Duke u mbështetur në rregullën zgjedhore për votimin jashtë vendit, është detyrë e KQZ-së që të përpilojë listën votuese jashtë Kosovës. Kjo listë duhet të përmbajë të dhënat e atyre votuese që me sukses janë regjistruar për votim jashtë Kosovës dhe t’i largojë emrat e tyre nga lista votuese që shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve”, pohoi zëdhënësi KQZ-së.

Në Kosovë zgjedhjet lokale zhvillohen më 17 tetor. /Insajderi.com