Në ndeshjen mes Prishtinës dhe Llapit në kuadër të Superkupës së Kosovës, protagonist kryesor i ndeshjes ishte i rikthyeri te llapjanët, Festim Alidema, shkruan Shqip.com.
Alidema realizoi dy gola, duke ia mundësuar ekipit të tij trofeun e Superkupës së Kosovës.
Ai tha se nuk është në 100 përqind në formën optimale, por pavarësisht kësaj, potencon se e ka nisur në mënyrë shumë të mirë aventurën e tij te Llapi.
“Po edhe pse nuk jam me përgatitje në 100 përqind, mendoj që e kam nis në mënyrë perfekte. Jam shumë i lumtur për këtë paraqitje dhe i lumtur me fitoren”, tha fillimisht Alidema për Gazetën “Blic”.
23-vjeçari më pas tha se beson që do të ketë suksese tjera bashkë me trajnerin, Tahir Batatina.
“Llapi është ekipi që kam pas sezon shumë të mirë edhe sezonet e kaluara kur kam qenë. Besoj që me Batatinën kemi me pas sukses të mëtutjeshëm dhe do t’i arrijmë objektivat e klubit”, vazhdoi ai.
Në fund sulmuesi premtoi se do ta jap më të mirën nga vetja që të kënaqë tifozët e klubit llapjan.
“Tifozëve iu premtoj se do ta jap maksimumin dhe do të mundohemi të mbushim objektivat e klubit dhe t’i kënaqim tifozët tanë, ‘Legjendat’”, përfundoi ai.
Llapi ka arritur të fitoj Superkupën e Kosovës mbrëmjen e së martes, pasi triumfoi kundër Prishtinës me rezultat 3:1 në stadiumin “Fadil Vokrri” në kreqytet./Insajderi.com