Bashkimi Evropian përmes një grupi ekspertësh do të monitorojë zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë.
Kjo ka qenë kërkesë e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, përgjigjja e së cilës ishte pozitive.
Në lidhje me këtë e para e vendit i ka shkruar kryetarit të Parlamentit Evropian, David Sassoli, si dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell.
“Për dallim nga zgjedhjet e fundit parlamentare, në të cilat Misioni i BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve është përbërë nga një numër i vogël ekspertësh, në zgjedhjet lokale të vitit 2021, BE-ja do të jetë prezente me mision të plotë të vëzhgimit të zgjedhjeve në Republikën e Kosovës deri në certifikimin e rezultatit zgjedhor”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Presidenti i Parlamentit Evropian, Sassoli, në letrën dërguar Osmanit më 13 korrik e ka konfirmuar gatishmërinë e Parlamentit Evropian për të marrë pjesë në monitorimin e zgjedhjeve lokale, si dhe fillimin e menjëhershëm të procedurave përgatitore për këtë proces.
“Ndërkaq në letrën e Borrell, të datës 17 gusht, bëhet e ditur se pasi që Parlamenti Evropian t`i nominojë përfaqësuesit e vet, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së do ta emëroj Shefin e Misionit, i cili bashkë me ekipin e ekspertëve do të arrijnë në Republikën e Kosovës gjatë javëve në vijim”, vazhdon njoftimi.
Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 17 tetor të këtij viti. /Insajderi.com