Qeveria ia vazhdon mandatin sekretarit të MSH-së

Qeveria ia vazhdon mandatin sekretarit të MSH-së

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës ka marrë vendim për t’ia vazhduar edhe për katër vjet mandatin sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi.

Propozim-vendimi është bërë nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili tha se është bazuar në performancën e Bardiqit.

“Propozim-vendimi për vazhdimin e mandatit të z. Naim Bardiqi si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë, bazohet në performancën e shkëlqyer të tij në të gjitha aspektet e menaxhimit të mbikëqyrjes administrative”, u shpreh Vitia.

“Ka treguar përformancë edhe në menaxhimin e mbikëqyrjen e vaksinimit dhe të luftimit të pandemisë në përgjithësi. Riemërimi i tij në pozitën e sekretarit krijon stabilitet e qëndrueshmëri institucionale që janë jashtëzakonisht të nevojshme në këto momente”, tha ndër të tjera ai.

Naim Bardiqi ishte shkarkuar nga pozita e sekretarit të MSH-së kur në krye të dikasterit ishte Armend Zemaj.

Me të marrë pozitën e ministrit, Arben Vitia e kishte rikthyer në pozitë./Insajderi.com