Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për të angazhuar përkohësisht një mijë e 116 punonjës shëndetësorë shtesë për nevoja të menaxhimit të pandemisë.
Ndaj, Ministria e Financave ka ndarë mbi tre milionë euro, ka bërë të ditur ministri i këtij dikasteri, Hekuran Murati.
Ai ka pohuar se do të mbështesin të gjitha vendimet që vijnë nga MSH-ja.
“Kemi sjellë propozim vendimin për të ndarë tre milionë e 192 mijë e 854 euro për të mbuluar kostot e këtij angazhimi të përkohshëm. Mjetet sigurohen nga instrumenti për financim të sektorit publik për reagim emergjent ndaj COVID-19 që është kredi e ratifikuar tashmë në Kuvend”.
“Shuma alokohen në dy faza, për fazën e parë alokohen një milion e 596 mijë e 427 euro, kurse për fazën e dytë mund të bëhet me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë që të alokohet shuma shtesë nëse është e nevojshme”, ka thënë Murati në një konferencë të përbashkët për media me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Murati më tej ka theksuar se 1 për qind e popullatës totale po vaksinohet brenda ditës në Kosovë. Ai po ashtu u ka kërkuar të pavaksinuarve që të kenë kujdes derisa të marrin vaksinën./Insajderi.com