Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se në vend nuk është prezent Virusi i Nilit Perëndimor.
Sipas njoftimit, ky virus i cili bartet nga pickimi i mushkonjave, është shfaqur në disa vende të Ballkanit, Mediteranit dhe në Evropë, por që në Kosovë ende nuk është raportuar asnjë rast.
“Virusi i Nilit perëndimor mund të shkaktoj sëmundje fatale neurologjike te njerëzit. Megjithëse, përafërsisht 80% e njerëzve që janë të infektuar nuk tregojnë asnjë simptomë”, thuhet në njoftimin për media.
IKSHPK më tej ka njoftuar se ky virus transmetohet tek njerëzit kryesisht nëpërmjet pickimit të mushkonjave.
“Virusi mund të shkaktoj sëmundje të rëndë dhe ngordhje tek kuajt. Vaksinat për përdorim tek kuajt janë në dispozicion për përdorim por jo ende në dispozicion për tek njerëzit. Zogjtë janë bartës natyral të virusit të Nilit perëndimor”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Po ashtu, Instituti thotë se ky virus tek disa persona është paraqitur përmes transplantimit të organeve, transfuzionit të gjakut si dhe me qumështin e gjirit.
“Një përqindje shumë e vogël e infeksioneve në njerëz është paraqitur nëpërmjet transplantimit të organeve, transfuzionit të gjakut dhe me qumështin e gjirit. Është i regjistruar vetëm një rast i bartjes së virusit NP prej nënë tek fëmija me rrugë transplacentare”.
Infektimi me këtë virus mund të jetë pa simptoma në rreth 80 për qind të njerëzve të infektuar.
“Simptomat e sëmundjeve të rënda (të quajtura edhe sëmundje neuro-invasive, si encefaliti i Nilit Perëndimor ose Poliomieliti i Nilit Perëndimor) përfshijnë: dhembje koke, temperaturë, shtrëngim në qafë, shtangie, dezorientim, komë, dridhje, konvulsione, dobësim të muskujve, dhe paralizë. Është llogaritur se rreth 1 në 150 persona të infektuar me VNP do të zhvillohet një formë më e rëndë e sëmundjes”.
“Sëmundja serioze mund të shfaqet tek njerëzit e secilës moshë, mirëpo njerëzit mbi moshën 50 vjeçare dhe personat me imunitet te zbehur (p.sh. pacientët me transplantime) janë në rrezik të madh që të sëmurën rëndë pas infektimit me VNP”./Insajderi.com