SHBA do ia paguajë Kosovës të gjitha shpenzimet për refugjatët afganë

SHBA do ia paguajë Kosovës të gjitha shpenzimet për refugjatët afganë

Të gjitha shpenzimet që do t’i ketë Kosova, por edhe cilido shtet tjetër, në strehimin e përkohshëm të refugjatëve afganë, do të mbulohen nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo iu ka kumtuar të premten në mbrëmje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në një takim virtual që ka pasur me Zëvendës-Sekretaren e Shtetit amerikan, Wendy R. Sherman dhe Nën-Sekretaren e Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland.

Ishte Sherman që potencoi se “të gjitha shpenzimet nga strehimi i përkohshëm i qytetarëve afganë do të mbulohet nga qeveria amerikane”.

Takimi nuk ka qenë publik, por detajet janë bërë të ditura nga një komunikatë e Qeverisë së Kosovës.

Kurti në këtë takim online ishte i bashkë-ftuar edhe me përfaqësues të dhjetëra shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, për të diskutuar situatën humanitare në Afganistan.

Qeveria në komunikatë ka njoftuar edhe se morën “vlerësime të larta” për mënyrën se si i janë përgjigjur kërkesë amerikane për të strehuar përkohshëm afganët që janë aplikantë në procesin për ‘Viza Speciale të Imigrimit’ (SIV) në SHBA.

Ishte mbledhja e 26 e Qeverisë së Kosovës kur u mor vendimi për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Ekipet përkatëse të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë në komunikim në lidhje me hollësitë e strehimit të tyre.

Deri tani qeveria nuk ka dhënë detaje për numrin e afganëve që do vijnë, kohën kur do të zbresin në Kosovë dhe ku do të qëndrojnë në këtë periudhë tranzitore, derisa të nisen me destinacion SHBA-të./ INSAJDERI.COM