Babai i 18-vjeçares së vrarë i mllefosur me gjyqësorin se si e lanë të lirë të dyshuarin

Babai i 18-vjeçares së vrarë i mllefosur me gjyqësorin se si e lanë të lirë të dyshuarin

Babai i viktimës 18-vjeçare, M.O., e cila dyshohet se u vra të dielën e 23 gushtit nga personi me të cilin po bashkëjetonte, është shprehur i mllefosur me organet e drejtësisë se si i dyshuari ka qenë i lirë pavarësisht se ka qenë i njohur për kryerjen e disa veprave penale.

Ai thotë se vonë e ka kuptuar që e bija e tij ka qenë me një person me të kaluar kriminale, teksa shtoi se pret që organet e rendit dhe ligjit ta zbardhin rastin.

“Gjyqësori do të duhej të merrte masa ndaj këtij personi i cili familjen time e goditi keq. Jemi shumë të shqetësuar për këtë që më ka ndodhë”, ka thënë ai për radiotelevizionin publik.

I dyshuari kryesor për vrasjen e ferizajases po vazhdon të endet në arrati.

Policia ka kapur një tjetër person që bashkë me të dyshuarin kryesor kishin dërguar trupin e pajetë në Spitalin Rajonal të Ferizajt.

Sipas tij, e bija ka jetuar afro dy muaj me të dyshuarin Dardan Krivaqa, “por vajza e tij ka qenë në presion dhe është frikësuar t’i tregojë familjes për dhunën që i ka ushtruar personi”.

Ai shton se vazhdimisht e kanë pyetur, por 18-vjeçarja nuk ka treguar asgjë, sepse ka qenë në presion psikik. /Insajderi.com