Gjykata e Apelit ka zëvendësuar masën e paraburgimit të vendosur nga Gjykata e Pejës, me arrest shtëpiak, ndaj pesë të pandehurve të dyshuar për korrupsion lidhur me lejet ndërtimore, transmeton Insajderi.com.
Me këtë vendim janë aprovuar ankesat e mbrojtësve të të pandehurve: Arianit Krasniqi, Osman Kollqaku, Mustafë Nila, Argjent Lleshi dhe Mentor Beqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas hetimeve të nisura më 12 gusht të këtij viti, Prokuroria e Pejës të pandehurit Arianit Krasniqi dhe Osman Kollqaku i ngarkon me akuzën se më 14 maj 2020, në Drejtorinë për Çështje Pronësore në Komunën e Pejës, me dashje kanë hartuar konluzionin dhe kërkesën për ndarje dhe regjistrim të pronës së këmbyer, duke e ditur se regjistrimi nuk mund të bëhet para se të bëhet vlerësimi i pronave nga Departamenti për Tatim në Pronë, ku i kanë mundësuar personave G.SH., dhe H.K., të regjistrohen si pronarë në patundshmërinë e ngastrave kadastrale. Ata dyshohet që kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare”.
Kurse, dy të pandehurit, Mustafë Nila, drejtor i Kadastrit dhe Gjeodezisë në Pejë dhe Argjend Lleshi, në cilësinë e zyrtarit pranë kësaj Drejtorie, dyshohen se nuk i kanë dërguar për vlerësim pronën për këmbim dhe lejojnë regjistrimin duke mos bërë vlerësimin e pronës.
Kështu, ata i kanë mundësuar dy personave, G.SH., dhe H.K., regjistrimin e pronës në atë Drejtori, pa i përmbushur obligimet mes Komunës dhe personave të cekur, duke lejuar kështu regjistrimin dhe të gjitha këto me qëllim të marrjes sa më të shpejtë të lejes ndërtimore nga ta. Për këtë, ata dyshohen për veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Po ashtu, edhe të dyshuarit tjerë, Mentor Beqiri, Plarent Trakaniqi, Faton Bajselmani, janë të dyshuar se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas nenit 414, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës, vepra penale “keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” dënohet me gjobë dhe burgim prej tre deri në dhjetë vjet. /Insajderi.com