Simiq për vizitën e FSK-së në veri: Demonstrim i Forcës, qëllimi është shqetësimi i serbëve

Simiq për vizitën e FSK-së në veri: Demonstrim i Forcës, qëllimi është shqetësimi i serbëve

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq ka reaguar ndaj shkuarjes së pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës me automjete të blinduara në zonat serbë në jug të Ibrit, përcjell Insajderi.com.

Simiq u shpreh se kjo ishte një demonstrim i forcës dhe fuqisë e që sipas tij synonte të sillte trazira në mes të serbëve në Kosovë.

“Kjo shkaktoi trazira të të gjithë serbëve në zonën e Kosovës dhe Metohisë. Askush nuk u konsultua me kryetarët e bashkive dhe kryetarët e atyre komunave, as nuk i informoi ata për atë veprim,” tha Simiq për TV Pink, raporton Kosovo Online.

Ai tha se falë “Zyrës për Kosovën dhe Metohinë “dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Serbisë, serbët në Kosovë janë të pajisur me maska dhe të gjitha mjetet kundër COVID-19.

“Janë siguruar ilaçe për trajtimin e pacientëve që vuajnë nga COVID-19, dhe falë presidentit, Aleksandar Vuçiq, serbëve në Kosovë dhe Metohi iu është mundësuar vaksinimi, i cili është përdorur nga më shumë se 40 përqind,” tha Simiq.

Ndryshe, para disa ditësh, FSK ka shpërndarë pjesëtarët e saj në të gjitha qytetet e Kosovës për t’iu ndihmuar qytetarëve kundër COVID-19, duke iu shpërndarë kështu mjete mbrojtëse./Insajderi.com