Kosova do të strehojë rreth 2.000 afganë

Kosova do të strehojë rreth 2.000 afganë

Kosova do të strehojë përkohësisht rreth dy mijë refugjatë afganë.

Kështu ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë një interviste me Radio Evropa e Lirë, të mërkurën.

Ai theksoi se gjithçka është duke u koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtet që i ka kërkuar Kosovës t’i strehojë bashkëpunëtoret e saj në Afganistan, pasi talebanët e morën pushtetin në Kabul, pas 20 viteve.

Sveçla nuk tregoi saktësisht që kur do të vinë refugjatët e as sa do të qëndrojnë.

Ndërsa, për vendosjen e tyre, deklaroi se janë disa lokacione të përmendura.

“Janë disa lokacione të cilat janë duke u shqyrtuar. Për një arsye apo tjetër, ne jemi duke bërë vlerësimet e nevojshme bashkë me partnerët tanë dhe në momentin e parë kur do të vendoset, do të njoftohet publiku”, ka thënë ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë evakuuar të martën 19 mijë njerëz nga Afganistani, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.

Situata në Afganistan është tensionuar pasi forcat amerikane vendosen të largohen – kjo u shfrytëzua nga grupi militant për ta marrë pushtetin.

Kjo lindi frikën se talebanët do të persekutojnë bashkëpunëtoret  e Amerikës në Afganistan. /Insajderi.com