Policia ka dhënë detaje lidhur me incidentin që dyshohet të ketë ndodhur gjatë mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, njofton Insajderi.com.
Në raportin 24-orësh të saj, Policia thotë se viktima është shtyrë dhe larguar nga korridori nga i dyshuari pasi nuk kishte vendosur maskë.
Lidhur me këtë rast janë intervistuar dy dëshmitarë të rastit, derisa është njoftuar edhe prokurori.
Anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi dyshohet se e sulmoi kolegun e tij të komisionit, e gjithë kjo për mos bartje të maskës.
Përgjatë ditës së djeshme, organet e rendit kanë njoftuar se kanë marrë masa ndaj rastit të sulmit fizik të ndodhur brenda KQZ-së.
Këtë për Shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë në rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka bërë të ditur se lidhur me këtë është inicuar një hetim.
“Policia ka pranuar informatën rreth orës 12:00 dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes. Ndërkohë që në fazë preliminare janë trajtuar rrethanat e ngjarjes me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar një hetim për rastin sulm”, tha Ahmeti.
Shqip.com ka kontaktuar edhe me Kurteshin për të marrë një përgjigje lidhur me këtë rast, por ai e ka mohuar këtë duke thënë se nuk është në dijeni për asgjë.
“Jo, nuk është e vërtetë. Unë nuk po di asgjë në lidhje me këtë”, ka thënë Kurteshi. /Insajderi.com