Marsh protestues për vrasjet e grave, Sveçla: S’pajtohem me parullat “Ministria i ka duart me gjak”

Marsh protestues për vrasjet e grave, Sveçla: S’pajtohem me parullat “Ministria i ka duart me gjak”

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist-QIKA, Rrjeti i Grave të Kosovës, Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore kanë organizuar një marsh protestues në Prishtinë, që u zhvillua nga ora 12:00, njofton Insajderi.com.

Nën moton “Vrasjet e grave të trajtohen si urgjencë kombëtare”, ato kanë marshuar nga Ministria e Drejtësisë, për të vazhduar deri te Ministria e Punëve të Brendshme dhe në fund para qeverisë.

Protestuesit kanë mbajtur pankarta në duar me mbishkrime të ndryshme duke kërkuar drejtësi e dënim të kriminelëve.

Pas këtij marshi, ministri Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës inspektim urgjent të të gjitha veprimeve në Policinë e Kosovës.

Por, ai tha se nuk mund të pajtohet me parullat “Ministria i ka duart me gjak”, pasi që sipas tij Policia ka kryer punën e saj lidhur me arrestimin e Dardan Krivaqës, të dyshuarit kryesor për vrasjen e 18 vjeçares nga Ferizaj, duke thënë se Prokuroria dhe Gjykatat janë treguar të papërgjegjshme.

“Nuk është që pajtohem me çdo parullë dhe kërkesë të tyre. Pajtohemi që është e drejtë e tyre që t’i shpalosin këto kërkesa, por parulla “Ministria ia ka duart me gjak” është çështje për të cilën nuk mund të pajtohem. Policia me një angazhim të jashtëzakonshëm ka bërë arrestimin e këtij krimineli shumë të rrezikshëm. Ai 135 herë më herët është arrestuar. Policia në raport me këtë kriminel është sjellë ashtu siç është kërkuar, por se si janë proceduar lëndët është çështje e hetimit”, tha ai.

“Por sipas fakteve që janë prezantuar janë dy hallka që janë treguar të papërgjegjshme – prokuroria dhe gjykatat. Rasti i parafundit i këtij krimineli është sulmi ndaj zyrtarit policor me thikë. Pyetja është se si është e mundshme që pas një akti të tillë të një recidivisti ai lirohet nga burgu pas një muaji?”. /Insajderi.com