Haxhiu proteston para ministrisë që e drejton

Haxhiu proteston para ministrisë që e drejton

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i është bashkuar sot protestës së organizuar në Prishtinë, pas vrasjes së 18-vjeçares M.O., nga Ferizaj, njofton Insajderi.com.

Pjesëmarrjen e Haxhiut në protestën para objektit të ministrisë që drejton, e cila është gjuajtur me ngjyrë të kuqe, e ka bërë të ditur vetë MD-ja.

Me anë të një postimi në faqen zyrtare të kësaj ministrie në Facebook, thuhet se qëllimi i pjesëmarrjes së ministres në këtë organizim ishte mbështetja e kërkesave të protestuesve.

“Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ishte e pranishme sot fizikisht në protestën e organizuar pranë Ministrisë së Drejtësisë. Qëllimi i pjesëmarrjes së ministres Haxhiu ishte mbështetja e kërkesave të protestuesve”, thuhet në njoftim.

Më tej në kumtesë thuhet se vrasja e 18-vjeçares është alarm për shoqërinë dhe secilin institucion, për çka edhe do të ndërmerren veprime serioze dhe urgjente.

“Institucionet e sigurisë dhe drejtësisë kanë neglizhuar raste të tilla të dhunës çka ka stimuluar që sjellje të tilla në vendin tonë të mos ndalen. Janë shumë jetë të humbura e së fundi kemi rastin e Marigonës. Ne do të angazhohemi që të ketë drejtësi dhe dënim meritor për kriminelët”, thuhet më tej në njoftim, duke shtuar se parandalimi dhe asdresimi i dhunës është një nga prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë. /Insajderi.com