Lëvizja FOL ka mbajtur të enjten një konferencë për media me ç’rast ka publikuar raportin “(Mos) Zbatimi i Ligjit për Deklarim të Pasurisë nga Qeveria Haradinaj, Kurti 1 dhe Hoti”, njofton Insajderi.com.
Drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL ka bërë të ditur se ky raport përveç se një analize të bërë ndaj ligjit aktual dhe projektligjit që është duke u hartuar nga qeveria, gjithashtu ka monitoruar edhe publikimin e formularëve të deklarimit të pasurisë nga Agjencia Kundër Korrupsionit, kështu duke ofruar të dhënat për secilin prej ministrave dhe zëvendësministrave të tri qeverive të kaluara.
Kurse, hulumtuesi i kësaj organizate, Alban Hasani, u shpreh se nga të gjeturat kryesore të këtij raporti sa i përket respektimit të afateve ligjore nga ministrat dhe zëvendësministrat e tri qeverive, nga 131 ministra dhe zëvendësministra në Qeverinë Haradinaj, vetëm 62 kanë respektuar afatin ligjor për deklarim të pasurisë.
“Nga 45 ministrat/zëvendësministrat e Qeverisë Kurti 1, vetëm 20 nga ta e kanë respektuar afatin ligjor për deklarim të pasurisë me rastin e emërimit në këto pozita. Ndërkaq vetëm 15 nga ta e kanë bërë deklarimin e pasurisë me rastin e dorëzimit të detyrës zyrtare apo me rastin e shkarkimit nga detyra”.
“Nga 77 ministrat/zëvendësministrat e Qeverisë Hoti, vetëm 32 prej tyre e kanë respektuar afatin ligjor për deklarim të pasurisë me rastin e emërimit në këto pozita, duke deklaruar pasurinë brenda periudhës së paraparë me ligj. Ndërkaq asnjë nga zyrtarët e kësaj qeverie nuk e ka deklaruar pasurinë me rastin e dorëzimit të detyrës zyrtare, apo me rastin e shkarkimit”, thuhet në raportin e publikuar nga Lëvizja FOL.
Sipas Lëvizjes FOL, këto të dhëna janë bazuar në formularët e publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë Kundër Korrupsionit, ndërsa pavarësisht se këta zyrtarë nuk e kanë deklaruar pasurinë me rastin e emërimit, lirimit nga detyra apo shkarkimit, ata nuk figurojnë në “listën e personave që nuk e kanë deklaruar pasurinë”, të publikuar në faqen e AKK-së.
Bazuar në gjetjet e kësaj organizate, dhe në analizën e kornizës ligjore aktuale dhe projektligji që është duke u punuar nga Qeveria e Kosovës, Lëvizja FOL i rekomandon Qeverisë që të rritet vigjilenca e zyrtarëve publikë në lidhje me respektimin e afateve ligjore për deklarimin e pasurisë me rastin e emërimit, deklarimin e rregullt vjetor dhe deklarimin me rastin e përfundimit të mandatit apo shkarkimit;
“Të rritet vigjilenca e zyrtarëve publik në lidhje me respektimin e afateve ligjore për deklarimin e pasurisë me rastin e emërimit, deklarimin e rregullt vjetor dhe deklarimin me rastin e përfundimit të mandatit apo shkarkimit”.
“Të largohet kategoria e mjekëve, profesorëve dhe asistentëve universitar nga lista e subjekteve deklaruese të deklarimit të pasurisë, që parashihet të bëhet në Ligjin e ri për Deklarimin e Pasurisë. Kjo ngase përfshirja e këtyre kategorive do të rrezikonte pamundësimin e zbatimit të ligjit në praktikë, për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe burimeve njerëzore të AKK-së, si dhe do të ndikonte në dekurajimin e tyre në kryerjen e funksioneve. Ligji duhet të fokusohet në zyrtarët e lartë publik dhe në disa kategori të tjera që janë potencialisht më të ekspozuara ndaj korrupsionit”.
“Të largohet mundësia e pranimit të dhuratave të rastit nga zyrtarët publik“.
“Të rritet bashkëpunimi i agjencisë kompetente me policinë, prokurorinë, administratën tatimore, Njësinë e Inteligjencës Financiare dhe institucionet e tjera relevante në lidhje me shkëmbimin e të dhënave dhe informacioneve në lidhje me deklarimin e pasurisë“, thuhet në njoftimin e FOL. /Insajderi.com