Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se të shtunën e 28 gushtit do të mbahet afati i dytë i Provimit të Maturës Shtetërore, njofton Insajderi.com.
Sipas njoftimit, në afatin e dytë, testimit do t’i nënshtrohen rreth gjashtë mijë e 700 maturantë në 68 qendra të testimit, kurse do të angazhohen rreth 200 komisionerë.
Kurse, bëhet e ditur se duke pasur parasysh situatën me pandeminë, në çdo klasë do të sistemohen nga 15 nxënës, teksa kërkohet që të respektohen masat kundër COVID-19.
“Në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat, MAShTI ka bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e këtij provimi. Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Për të gjithë pjesëmarrësit të cilët shkelin procedurat, Këshilli Shtetëror i Maturës do të marrë masa sipas Ligjit të Maturës.
“Për të mos ndikuar në proces dhe sipas rregullave të administrimit të testit, pas orës 10:00 (koha kur fillon testi) nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendrave të testimit përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit. Prandaj, mediet mund të marrin pamje në çdo qendër vetëm para fillimit të Testit të Maturës”, thuhet më tej në njoftim.
Po ashtu, MASHTI ka bërë të ditur se rezultatet e afatit të dytë të Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më 8 shtator. /Insajderi.com