ShSKUK: Nga e hëna pezullohet puna në ambulancat specialistike, do të spitalizohen vetëm pacientët me COVID-19

ShSKUK: Nga e hëna pezullohet puna në ambulancat specialistike, do të spitalizohen vetëm pacientët me COVID-19

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar se nga dita e martë, do të pezullohet puna në ambulancat specialistike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, njofton Insajderi.com.

Sipas njoftimit, ky vendim është marrë për shkak të rritjes së numrit të pacientëve të spitalizuar me COVID-19.

Po ashtu, ShSKUK ka bërë të ditur se hapësirat e ambulancave specialistike do të shërbejnë për spitalizim të pacientëve me COVID-19, teksa ka bërë thirrje që qytetarët të drejtohen në QKUK dhe Spitalet Rajonale vetëm për rastet urgjente.

“ShSKUK, kërkon falje dhe mirëkuptim nga pacientët duke iu siguruar se menaxhmenti i ShSKUK-së është duke bërë të pamundurën për t’iu ofruar shërbimin shëndetësor të gjithë pacientëve në nevojë. Në të njëjtën kohë ju apelojmë që të vaksinoheni dhe të respektoni masat anti-Covid, në mënyrë që sa më shpejt  të tejkalohet kjo situatë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Ndryshe, gjatë të dielës, janë shënuar 36 vdekje dhe një mijë e 630 raste të reja me COVID-19./Insajderi.com