Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës u ka bërë thirrje kryetarëve të komunave të mos marrin pjesë në takimin e ftuar nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Shqip.com mëson se njëra ndër arsyet e ftesës për të mos marr pjesë në takim është “injorimi i AKK-së nga Grupi koordinues antiCOVID”.
Qeveria e Kosovës të hënën ka formuar Komitetin për Menaxhimin e Pandemisë, jashtë së cilit u lanë të gjitha komunat.
Kryetari i AAK-së, Sazan Ibrahimi, në një përgjigje me shkrim për Shqip.com u shpreh i habitur se si nuk janë ftuar nga qeveria për t’u bërë pjesë e komitetit, pasi siç tha ai “masat antiCOVID nuk zbatohet nëpër zyrat e qeverisë, por nëpër komuna”.
“Si mundet një grup të quhet koordinues kur përfaqësuesit e komunave nuk janë aty. Nuk e di se si mund të harrohen (me qëllim apo pa qëllim) institucionet ku zbatohen masat”, deklaroi ai.
Pas reagimit të tij u bë e ditur se Kurti i ka ftuar në takim emergjent kryetarët e komunave për të diskutuar rreth situatës pandemike në vend. Takimi është paralajmëruar të mbahet në orën 10:00./Insajderi.com