Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës i ka të mbushura plot të gjitha kapacitetet e saja.
Drejtori i kësaj klinike, Arben Vishaj, tha të martën se pacientët po i referojnë në pjesë të tjera të spitaleve Covid.
Aktualisht në Infektivë bëri të ditur se janë duke u trajtuar 118 pacientë të infektuar, ku prej tyre 105 janë në gjendje të rëndë e me oksigjeno-terapi.
Vishaj theksoi se 99% e rasteve janë të infektuar me varantin Delta, duke shtuar se “kjo tregon se sa i rrezikshëm është ky variant”.
“Aktualisht kemi filluar të bëjmë hapjen e mjekimit intensiv në Klinikën Infektive pra një repart i cili ka qenë për pacientë të Klinikës Infektive. Tash kemi filluar procedurat që të pranojmë pacientë që janë në gjendje kritike me 12 respiratorë dhe shpresojmë që mos të mbushet, por jemi të gatshëm që shumë shpejt t’i adoptojmë këto hapësira”, tha ai për EO.
Më tej shtoi se kanë oksigjen të mjaftueshëm, për momentin. Po ashtu barna esenciale, por rendesiviri tha se vazhdon të blihet nga pacientët.
Aktualisht janë 26 mijë e 525 persona të infektuar me këtë virus. Ndërsa, të hënën Ministria e Shëndetësisë ka raportuar 20 raste të reja vdekjesh, bashkë me 932 raste pozitive dhe 962 të shëruar./Insajderi.com