Murati: Qeveria Haradinaj keqpërdori 43 milionë euro me shpronësimet për rrugën Prishtinë-Pejë

Murati: Qeveria Haradinaj keqpërdori 43 milionë euro me shpronësimet për rrugën Prishtinë-Pejë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, thotë se në projektet e mëdha gjatë qeverisjes së Ramush Haradinajt, ka pasur “dallavere të mëdha, derisa është deklaruar rreth procesit të shpronësimit, transmeton Insajderi.com.

Në një konferencë për media, Murati tha se autitori ka gjetur keqpërdorim të rreth 43 milionë eurove gjatë kësaj qeverisjeje në një nga projektet që njihet si autostrada Kijevë-Zahaç.

Ai tha se fillimisht ishte vlerësuar se shpronësimet në këto zona do të merrnin diku mbi 31 milionë euro, por më vonë kjo shifër është ngritur në mbi 11 milionë.

“Me shpronësimet dhe projektet e mëdha në vazhdimësi ka pasur dallavere, keqpërdorime dhe tani i kemi edhe shifrat e dokumentin që e dokumenton këtë. Kemi një keqpërdorim 43 milionë euro që brenda atij 43 milionë euro ka dyshime për të konstatuar se bëhet fjalë për falsifikim të 12 milionë euro”, ka thënë ai.

Ai më tej ka sqaruar se Ministria e Infrastrukturës më 24 gusht 2018 ka kërkuar nga ajo e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që të fillohet procesi i shpronësimit për segmentin ku do të shpronësoheshin 1050 prona.

“Më 19 shkurt 2019, Qeveria Haradinaj kishte dhënë vendimin preliminar për shpronësim, kurse më 17 maj 2019 ka dalë tabela e vlerësimit që nga Departamenti i Tatimit në Pronë i dorëzohet MMPH-së”, ka thënë ai.

“Janë prona të veçanta që në fillim ishin të vlerësuara lart dhe janë dyfishuar. Pra pronave specifike është dyfishuar vlera. Pronat që janë ngjitur me njëra-tjetrën, njëra është shpronësuar 800 euro ari, kurse tjetra 3500 euro ari. Kjo 3500 është bërë 7000 derisa kjo tjetra ka mbetur 800”, shtoi më tej Murati.

Murati ka paralajmëruar se do ta dërgojë rastin në prokurori që nesër, duke thënë se do ta ndalin dhe do ta dorëzojnë në këtë organ raportin e auditimit, si dhe do të ndërmarrin hapa për ta shpëtuar buxhetin.

“Do kërkojmë që përgjegjësit të vihen para drejtësisë dhe të shikojmë mundësitë që vendimi për projektin të vihet në rishqyrtim. Projekti Prishtinë-Pejë mund të vonohet, eventualisht do të vazhdohet por si pasojë e këtyre falsifikimeve do të vonohet”, ka përfunduar Murati. /Insajderi.com