Ish-ministrja Hoxha dhe të tjerët nuk pranojnë fajësinë për korrupsion

Ish-ministrja Hoxha dhe të tjerët nuk pranojnë fajësinë për korrupsion

Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ish-sekretari Kushtrim Cukaj dhe tre të tjerët, Fitim Mustafa, Demush Shasha e Nuhi Osmani, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Aktakuza ndaj Hoxhës dhe të tjerëve është ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 7 korrik.

Ish-ministrja Hoxha, ish-sekretari Cukaj dhe Mustafa po akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.

Kurse, Shasha dhe Osmani po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414, paragrafi 2 të KPRK-së.

Javë më parë, ish-ministrja Hoxha e ka quajtur “të pabazuar” dhe “absurde” aktakuzën e Prokurorisë Speciale. Ajo ka thënë se nuk është njoftuar zyrtarisht për aktakuzën me të cilën ngarkohet lidhur me një kontratë për lobim në vlerë prej mbi 168 mijë euro./Insajderi.com