Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e ka fajësuar Zvicrën për mërgimtarët e infektuar me COVID-19, por ka apeluar për vaksinim të të gjithëve, ka thënë këshilltari për media i saj, Bekim Kupina.
Sipas tij, kjo deklaratë e Osmanit është “devijuar”, ndërsa ka thënë se kjo gjë “vetëm sa i kontribuon negativisht angazhimit për vaksinim”.
“Nxjerrja jashtë kontekstit e kësaj deklarate shkakton dëme edhe në kontekstin kosovar, teksa përballemi me rritjen e ndjeshme të rasteve të të infektuarve, fatkeqësisht edhe të vdekjeve, prandaj mesazhi i Presidentes është fort i qartë: Vaksinimi shpëton jetë. Vaksinohuni, në Zvicër, në Kosovë, në gjithë botën!”, ka shkruar Kupina në profilin e tij në Facebook.
Ndërkohë, mediumi zviceran “Blick” në një artikull të publikuar të enjten ka shkruar se Osmani duke folur për vaksinimin e mërgimtarëve që jetojnë në Zvicër ka fajësuar autoritetet atje duke thënë se “e kanë pjesërisht fajin që një pjesë e qytetarëve s’janë imunizuar”.
E pyetur nëse ndihet fajtore që të kthyerit nga Kosova “e sollën virusin në Zvicër”, ajo është shprehur se “është detyrë e autoriteteve t’i bindin qytetarët me rrënjë të huaja të vaksinohen”./Insajderi.com