Kosova deri tani ka strehuar 467 qytetarë afganë, të cilët nga Afganistani janë larguar pasi talebanët kanë marrë pushtetin “në duar”.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka ftuar në takim koordinues organizatat ndërkombëtare në Kosovë, për të diskutuar rreth gjendjes dhe nevojave aktuale lidhur me strehimin e përkohshëm të afganëve.
Sipas Sveçlës, me ndihmën e NATO-s, të strehuarve u janë ofruar kushtet e nevojshme për akomodim fillestar.
Ai ka thënë se në këtë proces është shumë e nevojshme përkrahja edhe e organizatave ndërkombëtare që janë të vendosura në Kosovë dhe me këtë qëllim i ka ftuar për të parë mundësitë e tyre për të ndihmuar.
“Qeveria e Kosovës i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Qeverisë së SHBA-së dhe NATO-s, për të strehuar përkohësisht qytetarët afgan. Ne jemi zotuar për të ofruar kushte dinjitoze të akomodimit, për të ju bërë sa më të lehtë qëndrimin e tyre në Kosovë. Megjithatë, nevoja për mbështetje të organizatave tuaja është po ashtu shumë e rëndësishme për ne”, ka theksuar Sveçla.
Ndërsa përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare në Kosovë, theksuan gatishmërinë e tyre që në bazë të nevojave të identifikuara dhe mundësive, të jenë në dispozicion të institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë për të ndihmuar në këtë proces.
Në takim u diskuan edhe modalitet me të cilat do të operojnë institucionet e Kosovës, rreth strehimit të qytetarëve afgan, “gjithnjë duke ju garantuar të gjitha të drejtat e tyre sipas ligjit, përfshirë jetën e re sociale, të cilin do ta kenë gjatë qëndrimit në Kosovë”./Insajderi.com