Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka filluar të mbledhë prova për të parë nëse kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka bërë shkelje të Ligjit anti-COVID, duke pirë kafe brenda një lokali në Prishtinë.
Në një prononcim për Shqip.com, drejtori i AUV-it, Flamur Kadriu, tha se janë duke identifikuar kohën dhe vendin e incizimit në mënyrë që të dihet se a ka shkelje ligjore.
Ai u shpreh se nëse mbledhin fakte të mjaftueshme për këtë, Lumezi do të gjobitet mbi 200 euro, varësisht prej shkeljes ligjore.
“Jemi duke i parë se a kemi të drejtë të japim dënime pa qenë Inspektori në vendin e ngjarjes. Është pak më i ndërlikuar ky rast, duhet të indentifikohet koha, vendi a është shkelje. Sipas ligjit, ai mund të gjobitet mbi 200 euro, varësisht nga shkelja e ligjit”, tha Kadriu.
Po ashtu, drejtori i AUV-it tha se nëse shkelja ligjore është evidente, edhe lokali do të gjobitet me dy mijë euro dhe do të bëhet mbyllja e tij, deri më 13 shtator.
“Po edhe lokali nëse është evident nëse ka bërë shkelje dhe nuk i ka përmbushur rregullat, i takon një gjobë më e lartë. Gjoba për të është deri në dy mijë eurosh dhe do të mbyllet deri më 13 shtator”, shtoi tutje ai për Shqip.com.
Kadriu bëri të ditur se edhe sonte do të vazhdojnë inspektimin në të gjitha komunat e Kosovës për të parë se a janë duke u respektuar masat kundër Coronavirusit dhe në të kundërtën ato do të gjobiten.
Ndryshe, të hënën kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-COVID-19, në të cilat parashihet të kufizohet lëvizja e qytetarëve nga 22:00 deri në orën 05:00, të shkurtohet orari i gastronomisë deri në 21:30 dhe bartja e maskës të jetë obligative në çdo vend. /Insajderi.com