Trendafilova: Mandati i Speciales zgjat deri në njoftimin e Këshillit Evropian

Trendafilova: Mandati i Speciales zgjat deri në njoftimin e Këshillit Evropian

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, thotë se mandati i Gjykatës Speciale do të zgjasë deri në njoftimin e Këshillit të Evropës, transmeton Insajderi.com.

Trendafilova në një konferencë për media gjatë vizitës së saj në Kosovë, ka thënë se mandate i Dhomave të Specializuara është i përcaktuar me ligjin mbi këtë institucion gjyqësor.

“Dhomat e Specializuara do të jenë funksionale deri në atë kohë kur Këshilli i Evropës do të njoftojë Republikën e Kosovës se të gjitha procedurat hetimore apo para Dhomave të Specializuara të Kosovës do të kenë përfunduar. Siç e kanë bërë të qartë Dhomat e Specializuara dhe kanë theksuar në vendimin e tyre të 20 nëntorit të vitit të kaluar kjo do ta bie në fund punën e Dhomave të Specializuara”, ka thënë ajo.

Trendafilova gjatë këtij adresimi për shtyp, ka rikujtuar në detaje historikun e themelimit të këtij institucioni.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë themeluar pas pretendimeve në rritje se kanë ndodhur krime serioze në kontekst të konfliktit të Kosovës nga viti 1998 deri në vitin 2000 dhe se ato nuk ishin hetuar dhe kryesit e tyre nuk ishin ndjekur penalisht, përkundër shumë gjykimeve që kishin ndodhur në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për ish-Jugosllavi. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e emëroi një raportues special Dick Marty që të hetojë këto pretendime e i cili paraqiti raportin e tij në fund të vitit 2010 dhe më 7 janar 2011, menjëherë pas festimeve të Vitit të Ri, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e miratoi raportin dhe ky filloi të njihet si raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, është shprehur ajo.

“Në maj të të njëjtit vit (2011), BE-ja themeloi një task-forcë speciale të hetimit e cila duhet të bënte një hetim të pavarur në pretendimet që përmbante ky raport. Me vazhdimin e hetimeve nga kjo task-forcë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Politika të Sigurisë dhe atëherë presidenti i Kosovës arritën një marrëveshje përmes shkëmbimit të letrave në muajin prill të vitit 2014 për delegimin e autorizimeve për themelimin e dhomave të veçanta dhe të pavarura gjyqësore për të gjykuar krimet që ishin përmendur në raportin e Asamblesë Parlamentare”.

“U pajtuan në këto shkëmbime të letrave që këto dhoma të veçanta do të jenë të lidhura me secilin nivel të sistemit gjyqësor të Kosovës, por megjithatë Dhomat e Specializuara do të funksionojnë sipas statutit të tyre dhe sipas rregullores së tyre të punës që është ekuivalente me Kodin e Procedurës në secilin vend të caktuar dhe se do të vendosen në një shtet të tretë. Dhomat e Specializuara do të jenë me staf ekskluzivisht ndërkombëtar dhe sipas kësaj marrëveshje të reflektuar në këtë shkëmbim letrash do të ketë vetëm gjyqtarë ndërkombëtarë dhe dënimet, nëse do të ketë, do të mbahen jashtë Kosovës. Edhe arkiva e Dhomave të Specializuara të Kosovës do të jetë vetëm në pronësi të Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Nga ana tjetër, administratorja e Dhomave të Specializuara, Fidelma Donlon, dha detaje për kushtet e qëndrimit të të paraburgosurve në Gjykatën Speciale.

Ajo ka thënë se personat që janë në mbajtje i kanë nga 10 ditë vizita në vit.

Donlon ka thënë se ata kanë qasje në librari që kanë libra, revista e gazeta në gjuhën që ata zgjedhin. Ka thënë se kanë qasje në radio e TV dhe mund të marrin pjesë në shërbimet fetare.

Sipas saj, personat që po mbahen nga Specialja kanë kontakte të vazhdueshme me familjen përmes avokatëve, ndërsa ka shtuar se është siguruar kontakti efektiv mes tyre dhe avokatëve mbrojtës.

“Në përgjithësi personat që janë në mbajtje i kanë nga 10 ditë vizita në vit. Kemi punuar me ambasadën Holandeze për t’i lëshuar vizat falas për familjarët”, ka thënë ajo në konferencën për media. /Insajderi.com