Pasi u shërua nga Coronavirusi, vdes 32-vjeçari nga Kllokoti

Pasi u shërua nga Coronavirusi, vdes 32-vjeçari nga Kllokoti

Një 32-vjeçar, B.R., nga fshati Mogillë i Komunës së Kllokotit, ka vdekur të martën si pasojë e COVID-19.

Vëllau i tij, Përparim Rexhepi, në një prononcim për Shqip.com ka treguar se i ndjeri, para se të ndërronte jetë, ishte shpallur i shëruar nga Coronavirusi.

Por, sipas tij, pasojat që i kishte lënë COVID-19 si probleme me frymëmarrje dhe me mushkëri, i kanë shkaktuar atij vdekjen.

“Jo, ky ka qenë shumë mirë, me oksigjen ka pasur problem, më frymëmarrje pak problem, por për merak ka qenë djali. Veq problem me mushkëri dhe oksigjen. Ky na kanë thënë që është shëruar por ka vdekur nga pasojat e COVIDIT, por normal e ka mbytë COVIDI askush tjetër, e ka dëmtu shumë në mushkëri”, tha Rexhepi.

Ai thotë se vëllau i tij, kishte qenë së bashku me babain në Spitalin Rajonal të Gjilanit dhe se gjendja e tij ishte e mirë, dy-tri orë para se të vdiste kur edhe ishte futur në intubim.

“Të gjithëve na kanë shpallë të shëruar, edhe B.R. (viktima) e kanë shpallur të shëruar. Ky ka qenë me babain në spital në të njëjtën dhomë, babai ka qenë më keq, ky ka qenë më mirë, mbrëmë i kemi dërgu në Intensivë, sot ka hy në intubim dhe pas 3 ore ka vdekë”, shtoi ai.

Rexhepi shtoi se i ndjeri ishte ekonomist i diplomuar, kurse pas ka lënë dy fëmijë, një vajzë 3-vjeçare dhe djalin një-vjeçar.

Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se janë regjistruar 28 vdekje dhe 920 raste të reja nga Coronavirusi./Insajderi.com