Bislimi paralajmëron reciprocitet për targat e veturave pas 15 shtatorit

Bislimi paralajmëron reciprocitet për targat e veturave pas 15 shtatorit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka paralajmëruar se Kosova do të vendosë reciprocitet për veturat me targa të Serbisë pas datës 15 shtator.

Ai pas takimit të së martës me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, tha se Kosova s’do të pranojë zgjatjen e marrëveshjes së përkohshme për targat e veturave pas 15 shtatorit, kur edhe skadon afati i kësaj marrëveshje të arritur shumë vite më parë në Bruksel.

Sipas marrëveshjes, në Serbi mund të futen nga Kosova të gjitha veturat me targa KS, kurse ato me RKS duhet t’i ndërrojnë ato në kufi, duke marrë një letër të përkohshme që jep pala serbe. Në anën tjetër, veturat me targa të Serbisë futen lirshëm pa procedura shtesë në Kosovë.

Dhe kjo pritet të ndryshojë pas 15 shtatorit, sipas Bislimit.

Kjo ishte një prej temave që është diskutuar të martën në Bruksel mes delegacionit të Kosovës dhe BE-së, para takimit trepalësh që do të mbahet të mërkurën po në Bruksel, e ku në tavolinë do të jetë edhe delegacioni i Serbisë.

Ndeyshe, takimi i fundit i nivelit të lartë ka ndodhur më 19 korrik, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq./Insajderi.com