Molliqaj pas arrestimit: Kjo qeveri po u jep zemër fraksioneve brenda policisë që janë kundër UÇK-së

Molliqaj pas arrestimit: Kjo qeveri po u jep zemër fraksioneve brenda policisë që janë kundër UÇK-së

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka dalë me një reagim publik pasi është liruar nga Policia e Kosovës e cila e kishte arrestuar të martën, gjatë një aksioni të kësaj partie për të ndërprerë konferencën e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

Molliqaj pretendon se policia ka ushtruar dhunë ndaj tij dhe aktivistëve të tjerë, ndërsa thotë se Qeveria Kurti u ka dhënë zemër fraksioneve brenda policisë që janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Derisa ndërprenë konferencën e Trendafilovës, aktivistët e PSD-së thanë se “nuk mund ta lejojmë që të kalojë në qetësi konferenca e një përfaqësuese të një gjykate të padrejtë”.

Për këtë, i pari i PSD-së thotë se “mbrojtja e UÇK-së është detyrë e kohës”.

“Sot kur ndaj UÇK-së po bëhet luftë speciale, jashtë e brenda vendit, mbrojtja e saj është detyrë e kohës. Është mbrojtje e shtetit të Kosovës. Sepse nuk qëndron dot, e fortë dhe e sigurt, një ndërtesë që ia gërryejnë themelin”.

“Kur nuk e mbron UÇK-në, tashmë je rreshtuar. Ke marrë pozicion, kundër UÇK-së. Prandaj i arreston ata që e mbrojnë. Prandaj i mbron, i ngritë lartë, e u jep pozita atyre që e luftojnë”, ka shkruar ndër të tjera ai./Insajderi.com