Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ku diskutuan për angazhimin e Kosovës në strehimin e qytetarëve afganë të shpërngulur nga konflikti në Afganistan, njofton Insajderi.com.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se Kurti e ka njoftuar komisionerin Varhelyi për veprimet e autoriteteve përkatëse në ofrimin e kujdesit të plotë ndaj 683 qytetarëve afganë, që aktualisht janë në Kosovë nga 2.000 sa mund të jetë maksimumi.
“Gatishmëria e qeverisë së Republikës së Kosovës për të ofruar ndihmën e saj në këtë çështje humanitare, ka edhe dimensionin e aleancës dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilët jemi në kontakt e në koordinim që nga mesi i muajit korrik”, thuhet të ketë thënë Kurti.
Të martën është raportuar nga mediat spanjolle se Qeveria e Spanjës po punon në një plan që bashkë me Bashkimin Evropian, të hapin një kamp të madh refugjatësh në Kosovë.
Në artikullin e publikuar nga “OkDario”, thuhet se ndihma e Spanjës pritet të jetë në bashkëpunimin për menaxhim dhe ndërtim.
Tashmë Kosova është pajtuar për të strehuar rreth dy mijë afganë për deri në një vit, por raportimi thotë se “mund të jenë mijëra të tjerë në të ardhmen që do të mbesin për një kohë në këtë vend dhe më vonë do të dërgoheshin në shtetet e BE-së nëpërmjet një sistemi për të cilin ende s’ka marrëveshje”.
Sipas raportimit, Kosova ende nuk ka pranuar propozimin edhe pse “do ta mirëpriste” sepse në marrëveshje mund të jetë pjesë edhe “njohja nga Spanja në të ardhmen”. /Insajderi.com