Shkon në 14 numri i viktimave në Tetovë, s’ka personel mjekësor në mesin e viktimave

Shkon në 14 numri i viktimave në Tetovë, s’ka personel mjekësor në mesin e viktimave

Numri i viktimave nga zjarri që shpërtheu në spitalin për COVID në Tetovë, ka shkuar në 14, transmeton Insajderi.com.

Prokuroria Themelore Publike e Maqedonisë nëpërmjet një njoftimi për media, thotë se për kryerjen e hetimeve në lidhje me rastin tragjik në Tetovë janë angazhuar pesë prokurorë.

Nga Prokuroria thonë se për momentin janë konfirmuar se ka 14 viktima, ndërsa në mesin e tyre nuk ka nga stafi mjekësor.

“Në bashkëpunim me pjesëtarët e Ministrisë për Punë të Brendshme, inspektimi filloi menjëherë. Prokurorët kanë lëshuar urdhra autopsie dhe kanë identifikuar trupat e 14 personave të vdekur në zjarr, dhe po shqyrtojnë nëse ka të vdekur të tjerë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, raporton Alsat-M.

“Disa nga të vdekurit do të kenë nevojë për analiza të ADN-së për të përcaktuar identitetin e tyre. Sipas informacioneve fillestare, nuk ka personel mjekësor në mesin e të vdekurve. Deri në orët e para të mëngjesit, prokurorët morën në pyetje stafin në spitalin modular për të përcaktuar shkakun e zjarrit”.

“Në të njëjtën kohë, u dha urdhër për të siguruar pamje të video-mbikëqyrjes brenda dhe përreth objektit. Inspektimi do të vazhdojë edhe sot, dhe prokurorët publik, së bashku me ekspertët e MPB-së, do të japin provat për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike”, bën të ditur më tej prokuroria.

Ky zjarr që mori mbi 10 jetë njerëzish ka rënë rreth orës 21:00, derisa në spital raportohet se kanë qenë rreth 26 persona. /Insajderi.com