Spitali COVID i Tetovës: Në gusht iu dëmtuan tubat e në prill u konfirmuan gabime gjatë ndërtimit të tij

Spitali COVID i Tetovës: Në gusht iu dëmtuan tubat e në prill u konfirmuan gabime gjatë ndërtimit të tij

Spitali i cili mori flakë gjatë mbrëmjes së djeshme në Tetovë, ku së paku 10 persona kanë mbetur të vdekur, kishte pasur defekte edhe përgjatë muajve të kaluar. Në gusht iu kishin dëmtuar tubat e oksigjenit dhe të ajrit të kondensuar, derisa në prill ishte raportuar se janë konfirmuar gabime gjatë ndërtimit të tij, transmeton Insajderi.com.

Teksa 10 persona kanë vdekur, numri i viktimave nga ky zjarr i rënë në këtë strukturë spitalore COVID-19, mundësia që ky bilanc të përkeqësohet nuk përjashtohet.

Gazetari Seladin Xhezairi ka raportuar se sipas burimeve dyshohet se ka shpërthyer një bombolë gazi që ka bërë më pas që zjarri të përhapet me shpejtësi në të gjithë strukturën spitalore.

Sipas Xhezairit, zjarri ka rënë rreth orës 21:02, ndërsa në spital raportohet se kanë qenë rreth 26 persona.

Më tej gazetari ka theksuar se në këtë spital më 23 gusht të këtij viti iu dëmtuan tubat e oksigjenit dhe të ajrit të kondensuar, por policia ende nuk e ka zbardhur çështjen.

“Burime të brendshme dhe dëshmitarë okular tregojnë se ka pasur një zjarr të madh dhe nuk u ka dhënë hapësire punonjësve të ikin. Zjarri ka qenë i papritur. Dyshohet se kanë shpërthyer bombolat e gazit. Shpërthimi ka ndodhur diku rreth orës 21:02. Deri në shpërthim raportohet se ka pasur 24 apo 26 të punësuar në këtë spital. Raportohet se 4-5 persona kanë mundur të dalin nga spitali COVID”, ka thënë ai.

“Më 23 gusht ka pasur një përpjekje sabotimi dhe ka pasur dy dëmtime të tubave që çojnë oksigjen dhe ajër në këtë spital. Nuk është zbardhur se kush dhe pse u dëmtuan dy tubat. Në atë kohë numri i viktimave do të kishte qenë më i lartë”

“Janë të paktën 10 viktima dhe nuk dihet se sa do shkojë bilanci. Nuk mbahet mend që një tragjedi e tillë të ketë ndodhur”, shtoi më tej ai.

Më 23 prill është raportuar se janë konfirmuar gabime gjatë ndërtimit. Sipas një shkrimi në media, thuhej se firma e cila ka kryer punët ndërtimore duhej t’i mënjanonte gabimet.

“Vërejtjet kanë të bëjnë me dyshemenë dhe disa gabime tjera të vogla infrastrukturore. Është dhënë afat prej 5 ditëve që të sanohen gabimet të ndodhura gjatë ndërtimit të spitalit modular. Rrymë dhe ujë ka. Për sistemin e oksigjenit jemi në kontakt me firmën nga ku na thanë se për 2-3 ditë mund të vendoset. Sistemi ka ardhur deri tek Infektivja dhe mund të lidhet”, deklaroi asokohe drejtori Ekonomik i Klinikës së Tetovës, Artan Etemi.

“Në rast se nuk dalin probleme të tjera, javën tjetër shpresojmë se do të vihet në përdorim”, kishte shtuar më tej ai. /Insajderi.com