Oda e Hotelierisë dhe Turizmit ka paralajmëruar padi kolektive ndaj humbjeve që kanë pësuar dhe mospagesat ndaj tyre, përcjell Insajderi.com.
Kryetari i kësaj Ode, Hysen Sogojeva, ka kërkuar që të hiqet ora policore, sepse sipas tij, kjo masë e vendosur nga Qeveria është krejt e panevojshme dhe pa ndonjë efekt.
“Duke i parë kapacitetet ekonomike të forcës së shtetit, mbyllja totale nuk na kishte konvenuar, sepse kur mbyllemi duhet të jepen mjete. Mbyllja totale është e papranueshme, andaj e vetmja mundësi është vaksinimi. Kërkesat tona kemi me i përfunduar e sidomos për humbjet tona, ndoshta përmes Odës do kemi edhe padi kolektive për këto humbje që të na paguhen”, tha ai për EO.
Tutje, ai thekson se nuk duhet të merren vendime vetvetiu, por që të dakordohen së bashku në mënyrë që edhe respektimi i masave të jetë i drejtë.
“Po vet fakti që kemi një paralajmërim që do zgjasin këto masa jemi dakorduar që të takohemi para datës 13 shtator e të marrin vendimet e të gjithëve bashkë, dhe jo vendime të tilla që merren vetvetiu”, tha ai.
Sogojeva shton se duhet të lejohen të shfrytëzohen edhe hapësirat brenda lokaleve, sepse po dëmtohen bizneset dhe shumë prej tyre janë afër mbylljes.
“As ne nuk jemi që të mos respektohen masat, por kërkojmë që klientela të mos punoj me ato kapacitet dhe vetëm në hapësira jashtë, por të punohet edhe brenda në bazë të manualit të paraparë dhe ashtu siç jemi dakorduar. Ka shumë biznese që po mbyllen sepse ka shumë humbje. Poashtu edhe ora policore duhet të hiqet sepse nuk po shohim një lloj efekti”, përfundoi ai.
Ndryshe, të mërkurën, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se nuk do të ketë lirim të masave edhe pas datës 13 shtator.