Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar Institutin e Shëndetësisë Publike të Kosovës se është shndërruar në “instrument të pushtetit”, pasi të shtunën i ka rekomanduar presidentes Vjosa Osmani shtyrjen e zgjedhjeve lokale.
Sipas Abdixhikut, me këtë rekomandim, IKSHPK-ja “ka humbur secilin kredibilitet”.
“Skenari i paralajmëruar televiziv nga partia në pushtet, po ekzekutohet nga aktorë në shërbim të politikës instrumentalizuese. Trupat e kapur – me vullnet apo presion pa dallim – në vend të shëndetësisë, kanë vendosur të merren me politikë. Rekomandimi nuk u kërkua por u dha me porosi. Ashtu siç e paralajmëroj ditë më parë pushteti, ashtu siç po i duhet sot pushtetit”, ka shkruar i pari i LDK-së në profilin e tij në Facebook.
Më tej e ka quajtur “dështim katastrofal” menaxhimin e pandemisë nga Qeveria Kurti, duke thënë se “nuk guxon të prekë demokracinë”.
“Kosova ka mbajtur zgjedhje në pandemi. Vendet fqinje po mbajnë zgjedhje tani. Një ditë zgjedhje për demokracinë është e paalternativë. Fushata është shkurtuar; KQZ është e përgatitur; data e zgjedhjeve nuk mund të ndryshojë. Të kujdesemi për shëndet, të japim shembull, të organizojmë një proces fer – por proces me 17 tetor do të ketë. Frikën e pushtetit për dështimin masiv, s’mund ta shërojmë; por demokracinë, lirinë e votës suaj, do ta mbrojmë”.
Për shkak të situatës së rënduar me pandeminë COVID-19 në vend, ditë më parë kryeparlamentari Glauk Konjufca ka deklaruar se zgjedhjet lokale duhet të shtyhen. Kundër kësaj ideje kanë dalë partitë opozitare të cilat kanë thënë se janë pro shkurtimit të fushatës, por jo edhe shtyrjes së zgjedhjeve. Sipas tyre, VV-ja po i “frikësohet rezultatit” ndaj po kërkon një gjë të tillë.
Një vendim zyrtar akoma s’është marrë, por të shtunën Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës i ka rekomanduar presidentes Vjosa Osmani, shtyrjen e zgjedhjeve./Insajderi.com