Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar viktimat e sulmit terrorist mbi “Kullat Binjake”, duke konfirmuar se Kosova qëndron krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftimin e terrorizmit.
Në një postim në Facebook, ka shkruar se SHBA-ja është aleati strategjik dhe i përhershëm i shtetit të Kosovës.
“Sot jemi me ta, sikurse në çdo ditë dhe situatë tjetër. I kujtojmë viktimat e 11 shtatorit dhe e konfirmojmë edhe njëherë se si populli me proamerikan në botë do të qëndrojnë bashkë në luftimin e terrorizmit krahas SHBA-ve, por edhe duke e ndarë dhimbjen në ditë si kjo”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Më tej ka shtuar se “11 shtatori i vitit 2001, ishte thirrja e ndërgjegjes njerëzore, mobilizim kundër një te keqe të përgjithshme dhe rikujtim se solidariteti ndërnjerëzor në raste si ky sulm është garancë për një botë më të mirë dhe kontribut në luftën jo vetëm kundër terrorizmit, por edhe për lirinë, paqen dhe demokracinë në botë”.
Ndryshe, të shtunën janë bërë 20 vjet që nga sulmet terroriste mbi “Kullat Binjake”, në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 2 mijë e 977 njerëz kishin mbetur të vdekur, më 11 shtator 2001. Sulmet ishin kryer nga organizata terroriste Al-Qaeda, të cilët kishin rrëmbyer disa aeroplanë për të nisur sulmet./Insajderi.com