LVV, PDK e LDK konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin e ftuar nga Osmani

LVV, PDK e LDK konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin e ftuar nga Osmani

Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin konsultativ të ftuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, për të diskutuar lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, në një përgjigje me shkrim për Insajderi.com, ka thënë se kjo parti është e gatshme të takohet me presidentes kurdo që ajo i fton.

“Ne jemi të gatshëm si subjekt të takohemi me Presidenten kurdo që ajo na thërret”, ka thënë Manxhuka.

Edhe nga PDK-ja kanë konfirmuar se do të marrin pjesë në takim me presidenten Osmani.

Zëdhënësi i saj, Faton Abdullahu, për Shqip-in të shtunën ka deklaruar se të gjitha qëndrimet e këtij subjekti do t’i shfaqë kryetari, Memli Krasniqi.

“PDK nuk i është shmangur asnjëherë takimeve institucionale dhe do të merr pjesë në takimin e të hënës. Të gjitha qëndrimet dhe propozimet e PDK, kryetari Memli Krasniqi do ti shfaqë në takim”, ka thënë Abdullahu.

Ftesën e Osmanit e kanë pranuar edhe nga LDK-ja. Shefi i Grupit parlamentar të kësaj partie, Arben Gashi ka konfirmuar për RTV Dukagjinin se edhe LDK-ja do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Presidentja. Por kryetari Lumir Abdixhiku ka thënë se nuk do të pranojnë shtyrje të zgjedhjeve.

Për shkak të situatës së rënduar me pandeminë COVID-19 në vend, ditë më parë kryeparlamentari Glauk Konjufca ka deklaruar se zgjedhjet lokale duhet të shtyhen. Kundër kësaj ideje kanë dalë partitë opozitare të cilat kanë thënë se janë pro shkurtimit të fushatës, por jo edhe shtyrjes së zgjedhjeve. Sipas tyre, VV-ja po i “frikësohet rezultatit” ndaj po kërkon të shtyhen zgjedhjet.

Një vendim zyrtar akoma s’është marrë, por të shtunën Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës i ka rekomanduar presidentes Vjosa Osmani, shtyrjen e zgjedhjeve./Insajderi.com