Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, u shpreh se asnjë vend në rajon, madje as kudo tjetër në Evropë, nuk është mbështetës ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s, sikurse Kosova, përcjell Shqip.com.
Në hapjen e edicionit të shtatë të Shkollës Diplomatike që po zhvillohet në Pejë, Gërvalla u ka shpjeguar diplomatëve të huaj traditat dhe veçantitë e vendit.
“Kosova është një vend i vogël, por shumë i veçantë. Ne nuk jemi vetëm vendi më i ri në Evropë. Ne gjithashtu kemi popullsinë më të re sipas moshës. Asnjë vend në rajon, madje as kudo tjetër në Evropë, nuk është aq mbështetës ndaj BE-së dhe NATO-s. Në sondazhet e fundit ne regjistruam mbështetje për këto dy struktura kryesore ndërkombëtare me më shumë se 90% të qytetarëve. Kjo është unike, dhe kjo përfaqëson vullnetin e njerëzve tanë dhe strategjinë e qeverisë sonë”, ka thënë ajo.
Gjithashtu, ajo ka folur edhe për aspiratat dhe angazhimin e Kosovës në integrimin e strukturave Euro-Atlantike.
Në hapjen e këtij edicioni ishte edhe kryeministri Kurti, i cili tha se bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti afatgjatë me shtetet e rajonit dhe më tej, janë parimet e politikës së jashtme të Kosovës.
Në këtë edicion është trajtuar tema “Siguria bashkëpunuese në kohët e Pandemisë”./Insajderi.com