Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, ka kritikuar Qeverinë Kurti për menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Sipas tij, situata ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa ka thënë se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, duhet të raportojë para deputetëve.
Ka theksuar se “Qeveria Kurti s’e ka pasur prioritet pandeminë”.
“Si ish-ministër kemi ngritur shqetësimet tona dhe i kemi tërhequr vëmendjen ministrit të Shëndetësisë se nuk janë të gatshëm të udhëheqin. Kemi parë rritje të madhe të infeksioneve, vdekjeve, humbje të një numri të vaksinave që tregojnë se Qeveria nuk e ka pasur prioritet pandeminë siç ka thënë me marrjen e mandatit”, është shprehur Zemaj.
Ka shtuar se masat janë marrë në mënyrë ad-hoc nën panik.
“Këto gabime na kanë kushtuar shumë neve dhe qytetarëve të Kosovës. Vetëm në muajin gusht kanë humbur jetën 234 qytetarë mes tyre edhe gra shtatzëna”./Insajderi.com