Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se të martën do të ketë numër të lartë të vdekjeve nga Coronavirusi, përcjell Shqip.com.
Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Dreshaj tha se situata me pandeminë nuk është aspak e mirë dhe se sipas tij, numri i vogël i rasteve ditëve të fundit është si rezultat i numrit të ulët të testimeve.
”Spitalet janë të ngarkuara, numër të vdekjeve do të ketë. Janë pacientët në gjende të rëndë, 95 për qind të pacientëve janë veç me oksigjenoterapi. E keqja na bashkon. T’i bashkojmë forcat. Të mos bëjmë politikë me vdekje. Unë sot mora raportin e mëngjesit, nuk është i mirë, do kemi numër të lartë të vdekjeve edhe sot pasdite’’, tha Dreshaj.
Në këtë mbledhje, anëtarët e Komisionit nga partitë opozitare, Armend Zemaj dhe Bekim Haxhiu, kanë kritikuar Qeverinë lidhur me menaxhiminë e pandemisë.
Ndërkaq, anëtari nga Grupi Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, ka thënë se në përballje me pandeminë COVID-19, Kosova qëndron më mirë tani, se në krahasim me një vit më herët.