Apeli kthen në rigjykim çështjen ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit, të akuzuar për Fondin e 3 për qindëshit

Apeli kthen në rigjykim çështjen ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit, të akuzuar për Fondin e 3 për qindëshit

Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe ka kthyer në rigjykim çështjen ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit, të cilët vitin e kaluar ishin dënuar për shpërdorim të Fondit të 3-përqindëshit, përcjell Insajderi.com.

Sipas njoftimit të Apelit, është konstatuar se ““aktgjykimi i ankimuar është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, andaj edhe si i tillë duhet të anulohet dhe kjo çështje penale do t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim”

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Osmani, dhe Atdhe Gashi, dikur këshilltar i ish-kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshi, ishin dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me nga tre vjet burgim. Ata ishin detyruar që buxhetit të Kosovës t’ia kthenin shumën prej 150 mijë eurove.

Ndryshe, Fondi 3 për qindëshit ishte formuar nga kontributet e bashkatdhetarëve kosovarë, me qëllim të organizimit të jetës institucionale në Kosovë gjatë viteve të 90-ta.

Ato mjete ishin menaxhuar nga Bujar Bukoshi, I cili kishte qenë kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil./Insajderi.com