Rama i përgjigjet ftesës së Kurtit: Pas Asamblesë së OKB-së, do ta vizitojë Kosovën

Rama i përgjigjet ftesës së Kurtit: Pas Asamblesë së OKB-së, do ta vizitojë Kosovën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka falënderuar kryeministrin, Albin Kurti, pasi që ky i fundit e ftoi atë ta vizitojë Kosovën, njofton Shqip.com.

Përmes një postimi në Twitter, Rama tha se do ta vizitojë Kosovën, pas kthimit nga Asambleja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Tutje, ai tha se do të fillojnë përgatitjen e Mbledhjes së Përbashkët mes dy vendeve, që sipas tij, të bëjnë punë të mira në dobi të dy shteteve.

“Faleminderit @albinkurti! Patjetër do ta vizitoj me shumë kënaqësi Kosovën, me t’u kthyer nga Asambleja e OKB! Le t’ia nisim menjëherë me përgatitjen e Mbledhjes së Përbashkët. Uroj megjithë zemër dhe kam besim se do të bëjmë plot punë të mira në dobi të të dy shteteve tona”, shkroi Rama.

Ndryshe, të premten, Kurti i ka dërguar letër urimi Ramës, me rastin e zgjedhjes së tij për herë të tretë si Kryeministër i Shqipërisë.

Përmes kësaj letre, ai kishte shprehur gatishmërinë e tij të plotë dhe të Qeverisë së Kosovës për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimit tregtar dhe integrimin e tregut, duke hequr barrierat mes shqiptarëve.

“Unë jam me shpresë se në këtë mandat Shqipëria do të shoh progres të gjithanshëm. Së bashku mund të punojmë në avancimin e parimeve demokratike, në luftimin e krimit dhe korrupsionit, të evazionit fiskal e informalitetit në të dy anët e kufirit dhe të angazhohemi për më shumë drejtësi dhe të drejta e për më shumë barazi e mirëqenie për shqiptarët në gjithë rajonin. Kosova dhe qytetarët e saj i gëzohen tej mase zhvillimit dhe progresit të Shqipërisë të cilën e kanë përherë në mendje dhe zemër”, kishte shkruar ndër tjerash Kurti./Insajderi.com