Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se asnjë lloj kërcënimi nga Serbia nuk e ndalon vendosmërinë e Kosovës për tëjetësuar zbatimin e ligjit në përputhje me obligimet ndërkombëtare, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Republikës, pa dallim etnie.
Osmani thotë se vendimi i Qeverisë për masën e reciprocitetit të targave është pranuar dhe po zbatohet me përpikëri në të gjitha pikat kufitare, përveç dy pikave në veri, ku serbët lokalë po keqpërdoren nga Qeveria serbe, njofton Insajderi.com.
Andaj për këtë keqpërdorim që sipas saj, po bëhet për qëllime politike të qytetarëve serbë të Kosovës, Osmani ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të ushtrojë presion mbi qeverinë e Serbisë në mënyrë që të ndalojë menjëherë provokimet ndaj Kosovës.
Kështu është shprehur ajo me anë të një postimi në Facebook, ku më tej thotë se Kosova ka zbatuar në plotëni marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, por që pala tjetër i ka injoruar ato dhe vazhdon të mos i zbatojë.
“Reciprociteti në çështjen e targave, për të cilën kanë nënshkruar të dyja palët në Bruksel, nuk mund të shihet si veprim tensionues e i njëanshëm, por veprim drejt zbatimit të marrëveshjeve të cilën do të duhej ta kërkonte edhe vet BE-ja. Serbia është ajo që ka vepruar në mënyrë të njëanshme nga viti 2016 e në shkelje të marrëveshjeve të Brukselit, e jo Kosova”, ka shtuar Osmani.
“Prandaj, strukturat ilegale serbe, të financuara e që marrin urdhëra nga shteti i Serbisë, po ndërmarrin veprime jo vetëm në kundërshtim me marrëveshjet e Brukselit, por edhe që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe stabilitetin e rajonit”, shtoi ajo.
Shefja e Shtetit thotë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve është ndërmarrë si rezultat i përfundimit të marrëveshjeve të vitit 2011 dhe 2016 për lirinë e lëvizjes së qytetarëve mes dy shteteve.
“Rrjedhimisht, vendimi siguron trajtim të barabartë dhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve të të dyja vendeve. Vendimi është pranuar dhe po zbatohet me përpikëri në të gjitha pikat kufitare, me përjashtim të dy pikave në veri, në të cilat serbët lokalë po keqpërdoren nga Qeveria serbe dhe strukturat ilegale atje”.
“Prandaj, ftoj Bashkimin Evropian që të ushtrojë presion mbi qeverinë e Serbisë që të ndalojë menjëherë provokimet ndaj Kosovës dhe keqpërdorimin për qëllime politike të qytetarëve serbë të Kosovës. Politika destabilizuese e Serbisë në Kosovë dhe në rajon dhe qëllimet e tyre hegjemoniste për të ashtuquajturën ‘botë serbe’ janë rikthim në logjikën e tyre të viteve ’90, e cila ka sjellë shumë viktima në rajonin tonë”, ka përfunduar ajo.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë vendim për vendosjen e targave të përkohshme të Kosovës për veturat që hyjnë brenda territorit me targa të Serbisë.
Të njëjtën masë e ka zbatuar tash e sa vite edhe Serbia për automjetet nga Kosova. /Insajderi.com