Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar që Qeveria të marr vendim për një listë rezervë për zëvendësimin e mësimdhënëseve shtatzëna por edhe personat me sëmundje kronike.
Në një prononcim për Shqip.com, kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi, tha se drejtorët komunalë të arsimit në komuna janë të gatshëm që procesi mësimor të fillojë në javën e ardhshme.
“Sfida kryesore e cila është ngritur nga drejtorët komunal është çështja e mësimdhënësve shtatzëna dhe mësimdhënësve me sëmundje kronike ne si AKK kërkojmë që niveli qendror të merr vendim ashtu siç ka marr vendim për punësimin e punonjësve shëndetësor dhe inspektues ta bëjë një vendim të tillë edhe për mësimdhënësve që të kemi mësimdhënës të gatshëm.
Shpresojmë që Qeveria do ta merr parasysh kërkesën e AKK-së që të ketë një listë rezervë të mësimdhënësve në mënyrë që të zëvendësohen me automatizëm. Këtë kërkesë e kemi dërguar edhe në Komitetin anti-Covid”, tha ndër tjerash ai.
Ibrahimi tha se në takim është propozuar që të mbahet mësimi fizikisht, përveç se në Prishtinë dhe Fushë Kosovë është kërkuar që të fillohet mësimi në skenarin online, për shkak të numrit të madh të nxënësve nëpër klasë.
“Në takimin e sotëm që u organizua nga Asociacioni i Komunave të Kosovës me drejtorë komunal të arsimit, u diskutua sa i përket situatës të tanishme dhe mundësisë së fillimit të procesit mësimor nga e hëna e ardhshme.
Të gjithë drejtorët një zëri kërkuan që procesi mësimorë të filloj të hënën e ardhshme duke shpresuar që numri i të infektuarve të bie, përveç atyre në Prishtinë dhe Fushë Kosovë që kanë kërkuar që mësimi të filloj në distancë, për shkak të numrit të madh të nxënësve në disa shkolla”, tha Ibrahimi.
Tutuje, ai bëri të ditur se gjatë javës do të kenë edhe një takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për të diskutuar për të rishikuar situatën pandemike në vend.
“Po këtë javë do të takohemi me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, pasi që kështu jemi dakorduar”, shtoi ai./Insajderi.com