Borrell kontakton me Kurtin dhe Vuçiqin për gjendjen e krijuar me reciprocitet të targave

Borrell kontakton me Kurtin dhe Vuçiqin për gjendjen e krijuar me reciprocitet të targave

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje ndaj Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet, derisa i ka ftuar ato që të përdorin dialogun si platformë për të adresuar çështje dhe për t’i zgjidhur ato, duke përfshirë edhe lirinë e lëvizjes dhe targat, transmeton Insajderi.com.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, thotë se Blloku pret që Kosova dhe Serbia të promovojnë lërinë e lëvizjes, ndërsa ka treguar se po punohet aktivisht në të gjitha nivelet për t’iu adresuar kësaj çështje.

Madje ai ka treguar se përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka kontaktuar mbrëmë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për këtë çështje.

“Ne kemi thënë se liria e lëvizjes është gurthemel i Bashkimit Evropian. Si e tillë, ne presim që Kosova dhe Serbia të promovojnë lirinë e lëvizjes në rajon. Ne vazhdojmë të monitorojmë vazhdimisht në terren dhe i bëjmë thirrje dyja palëve të përmbahen, të përmbahen nga veprime e mëtejshme të njëanshme dhe të zvogëlojnë menjëherë tensionet”, ka thënë Stano.

“Përfaqësuesi i Lartë Borrell ka kontaktuar si me Vuçiqin ashtu edhe kryeministrin Kurti mbrëmë, dhe përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak është ende në Beograd duke vazhduar punën me të dyja palët”, shtoi ai.

“Ne i bëjmë thirrje dyja palëve që të përdorin Dialogun e lehtësuar nga BE-ja si platformë për të adresuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura mes tyre, përfshirë këtu edhe lirinë e lëvizjes dhe targat. Ne jemi të gatshëm të presim një takim në Bruksel në çdo kohë”, ka thënë Stano.

Qeveria e Kosovës të hënën ka vendosur reciprocitet të targave ndaj Serbisë, ku tash e tutje qytetarët që vijnë nga Serbia për të hyrë në Kosovë duhet të vendosin targa të përkohshme, ngjashëm siç vendosin qytetarët nga Kosova kur hyjnë në Serbi. /Insajderi.com