Një nga kontratat më të çuditshme ndonjëherë në Kosovës është arritur në vitin 2018 në mes të një institucioni publik dhe një mediumi privat. Institucioni ka nënshkruar kontratë me mediumin që të shkruajnë “lajme pozitive” për ta. Drejtori i mediumit Bujar Vitija ka refuzuar të flas. Edhe SHSKUK, institucioni që ka paguar gazetën online, nuk ka pranuar të jap përgjigje. Ministria e Shëndetësisë në anën tjetër thonë se s’është punë e tyre ta japin këtë sqarim, porse ai duhet të kërkohet nga ata që e nënshkruan kontratën.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka zëdhënës dhe zyrë të mediave, e cila mund të prodhojë video e shkrime për shërbimet që ofrohen aty, por Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka paguar drejtorin e një mediumi të quajtur “Gazeta Shneta” që të shkruajë lajme për ta.
Sipas kontratës së publikuar në një faqe në rrjetin social Facebook, SHSKUK-ja ka nënshkruar “kontratë bashkëpunimi” me Gazetën Shneta me qëllim të “Promovimit të aktiviteteve pozitive dhe punës së menaxhmentit të SHSKUK-së”.
Pra, një institucion publik ka vendosur të paguajë një medium privat që mediumi të shkruajë lajme me pagesë për ta dhe në kontratë specifikohet që lajmet të jenë “pozitive”.
Kontrata është nënshkruar më 11 nëntor 2018, ka filluar së zbatuari dy ditë më pas, ndërsa ka përfunduar më 13 prill 2019.
Përveç nënshkrimit të kësaj kontrate të çuditshme, i çuditshëm ka qenë edhe i gjithë procesi se si ka ardhur deri te kontrata.
Në po atë datë kur është nënshkruar kontrata, është bërë edhe inicimi i aktivitetit të prokurorimit, publikimi i njoftimit për kontratë, është hapur tenderi si dhe është bërë publikimi i njoftimit të dhënies së kontratës.
Gjithçka, ka ndodhur brenda dite. Derisa te Neni 2 i kontratës, tek pjesa “lloji i kontratës”, është shënuar se kjo kontratë bëhet për “furnizime”.
Se me çka mund ta furnizojë një gazetë online SHSKUK-në mund ta dinë vetëm ata që e kanë nënshkruar atë. Por, telefonatave të Shqip.com nuk është përgjigjur Gazmend Rushiti, personi kontaktues i autoritetit kontraktues. Përveçse në kontratë, shënon që “vendi kryesor i dorëzimit” është SHSKUK.
Nëse interpretohet në mënyrë rigoroze kontrata, atëherë, sipas saj, i bie që “Gazeta Shneta” furnizon me lajme dhe vendi i dorëzimit të atyre lajmeve/furnizimeve është SHSKUK-ja.
Kontrata tregon edhe shumën. Bëhet fjalë për 1000 euro që do t’i përfitojë mediumi, për punën që do të duhej ta bënte vetë zyra për media brenda institucionit publik shëndetësor.
Shqip.com ka provuar të kontaktojë më drejtorin e mediumit, Bujar Vitijën, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.
Megjithatë, ka reaguar përmes profilit të tij në Facebook, duke thënë se po bëhet fushatë kundër tij “me informata të rrejshme e të sponsorizuara në Facebook”.
Megjithatë, kontratën nuk e ka mohuar asnjëherë, duke lënë të paqartë se çfarë po nënkupton, kur thotë “informata të rrejshme”.
Meqë përfituesi i kontratës Vitija, ka refuzuar të jap përgjigje dhe nga SHKUK gjithashtu në disa numra zyrtarë askush nuk përgjigjej, Shqip.com ka kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë për të kuptuar nëse është në dijeni për nënshkrimin e një kontrate të tillë.
Nga kjo ministri janë përgjigjur, por vetëm sa për të thënë se shpjegimin duhet ta bëjë dikush tjetër.
“Sigurisht keni dashur t’ia dërgoni SHSKUK-së. Drejtojeni në adresën e duhur, ju lusim!”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Shqip-in.
Kontrata e çuditshme në mes të një institucioni publik dhe një mendiumi privat, që ky i fundit të shkruajë lajme pozitive, është një shkelje brenda profesionit.
Gazetarët duhet të raportojnë me korrektësi për punën e institucioneve dhe jo të paguhen nga ata për të cilët duhet të raportojnë.
Është krejtësisht e pamundur të ruhet objektiviteti profesional, pas marrjes së parave nga subjekti për të cilin do të shkruash.
Të marrësh para nga institucioni publik i bie që edhe qeveria e Kosovës mund të nënshkruajë kontrata me gazetarë që ata të raportojnë “lajme pozitive” për ta./Insajderi.com