Këshilli i Prindërve në Komunën e Prishtinës ka bërë të ditur se shtyrja e mëtejme e procesit mësimor do të jetë absolutisht e papranueshme për ta, njofton Insajderi.com.
Përmes një postimi në Facebook, ky Këshill u ka bërë thirrje institucioneve vendimmarrëse që të jenë serioz dhe të marrin vendim për fillimin e vitit shkollor me një skenar të pranueshëm dhe të përshtatshëm.
Tutje, Këshilli ka thënë se nëse vazhdohet me vendime të tilla për shtyrjen e mësimit, do të shqyrtojnë opsionin për pezullimin e angazhimit të prindërve nëpër shkollat e Prishtinës, duke mos përjashtuar edhe thirrjen për bojkotim të mbledhjeve të prindërve nëpër klasë.
Ndryshe, paraditen e së mërkurës, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka raportuar në Komisionin për Shëndetësi, ku ka thënë se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka rekomanduar shtyrjen e procesit mësimor.
Këtë e ka kundërshtuar edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës, ku kryetari i saj ka thënë se nëse Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, e shohin si rrezik fillimin e vitit shkollor me prezencë fizike, duhet të përgatiten për versione tjera të mësimit.
Më 31 gusht kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-COVID’19, në të cilat parashihej që mësimi të fillojë më 13 shtator, por që me udhëzimet e ekspertëve, kjo datë është shtyrë deri më 26 shtator, dhe ende nuk ka ndonjë vendim tjetër./Insajderi.com