Pacolli: BE-ja të reagojë ndaj sulmeve terroriste në Zubin Potok dhe Zveçan

Pacolli: BE-ja të reagojë ndaj sulmeve terroriste në Zubin Potok dhe Zveçan

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka kërkuar reagimin e Bashkimit Evropian, sipas tij, pas sulmit terrorist në Zubin Potok dhe Zveçan, njofton Insajderi.com.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli tha se rrugët e bllokuara duhet të lirohen sa më shpejt dhe të respektohet rendi dhe ligji në pjesën veriore të Kosovës.

Foto nga vendi i ngjarjes ku është shkaktuar zjarri

“BE-ja t’i reagon sa më parë Beogradit për kërcënimet e fundit ndaj Kosovës dhe sulmin terrorist në Zubin Potok dhe Zveçan. Rrugët e bllokuara të lirohen sa më parë dhe të respektohet rendi dhe ligji në pjesën verior të Kosovës. Janë të pa tolerueshme ofendimet e  serbëve ndaj lidetve tanë”, shkroi Pacolli.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se me këtë, Serbia po provon nxitjen e një konflikti serioz ndërkombëtar.

Kurse, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ky është një akt kriminal me elemente terroriste të shkaktuar nga persona të dyshimtë.
Për këtë rast, Policia e Kosovës tha se janë duke e hetuar rastin.
Ndryshe, që nga e hëna, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të gjitha veturat që hyjnë nga Serbia, t’i zëvendësojnë target me ato të Kosovës, të cilat vlejnë 60 ditë.

Të pakënaqur për këtë, banorët e komunave veriore të Kosovës kanë bllokuar rrugën që nga e hëna, duke mos lejuar kështu të qarkullojë asnjë veturë.

Për të mbikëqyrur situatën, në këto pika kufitare janë vendosur Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës, të cilët disa herë kanë qenë të provokuar nga protestuesit serbë të cilët lëshonin këngë nacionaliste serbe./Insajderi.com