Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën për korrupsion ndaj kryetarit aktual të Malishevës, Ragip Begaj.
Begaj akuzohet se me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i shkaktuar dëm Rexhep Rudit dhe buxhetit të Komunës së Malishevës me rastin e ndërtimit të shkollës në fshatin Drenoc.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar avokati i tij, Emrush Kastrati, i cili tha se ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj vendimit të gjykatëses së Departamentit Special, Violeta Namani.
Sipas vendimit, kërkesa e të pandehurit e ushtruar përmes mbrojtësit të tij është e pabazuar, ku është vlerësuar se përmes shkuarjes në shqyrtim gjyqësor, gjykata do të vërtetoj gjendjen faktike përmes administrimit të provave të propozuara me aktin akuzues.
Kastrati tha se ndaj këtij vendimi ka ushtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedutës penale dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike.
Ai thotë se nëse analizohen dhe interpretohen drejtë dispozitat ligjore, shihet qartë që në veprimet e të akuzuarit nuk ka ekzistuar qëllimi për kryerjen e veprës penale, siç pretendohet në aktakuzë, raporton Betimi për Drejtësi.
Po ashtu, mbrojtja e Begajt ka kërkuar që aktakuza ndaj tij të hudhet, me arsyetimin se nuk është arritur të vërtetohen elementet qenësore të veprës penale.
I akuzuari Begaj ishte deklaruar i pafajshëm gjatë seancës fillestare të mbajtur më 5 gusht 2021.
Sipas aktakuzës, ai më 6 korrik 2018 në vazhdimësi, në cilësi të personit zyrtar, me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i shkaktuar dëm Rexhep Rudit dhe buxhetit të Komunë së Malishevës.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuar Begaj, më 7 nëntor 2018, e ka caktuar lokacionin për ndërtimin e shkollës në fshatin Panorc, ku i kishte premtuar të dëmtuarit që të hyjë në marrëveshje për shkëmbimin e tokës me qëllim të ndërtimit të kësaj shkolle.
Siç thuhet në aktakuzë, një pjesë e objektit të kësaj shkolle ka qenë e planifikuar të ndërtohej në pronë private, në kundërshtim me vendimin e Kuvendit Komunal të 4 majit 2018, vendim i cili kishte për qëllim të ndërtohej aneks i shkollës “Visar Krasniqi” në Drenoc të Malishevës.
Tutje, i pari i Malishevës po akuzohet se në tetor të vitit 2018, e kishte nxjerrur aktvendimin për bartjen e mjeteve financiare nga një program në tjetrin, në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
Në aktakuzë thuhet se mjetet financiare nga kodi investime kapitale pa miratimin paraprak të Ministrisë së Financave i ka bartur në kodin mallra dhe shërbime e pastaj këto mjete i kishte përdorur për pagesën e detyrimeve financiare të komunës ndaj personave të tretë pa miratimin e Kuvendit Komunal.
Për këto, Begaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ku dënimi parashihet me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vite./Insajderi.com